
Thirrje për Vaksinim– Mbrojtja më e mirë kundër Fruthit!
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Institucionet shëndetësore, njoftojnë qytetarët për rritjen e numrit të rasteve me fruth në Kosovë
Nga data 05.05.2025 deri me 22.05.2025 në IKShPK, janë raportuar 18 raste të mundshme/të konfirmuara me fruth, të pavaksinuar me vaksinën MMR.Sipas komunave: Ferizaj (11 raste), Fushë Kosovë (2 raste), Shtime (2 raste), Prishtinë (2 raste) dhe Lipjan (1 rast). Numri më i madh i rasteve i takon grup moshës 1 deri 2 vjeç (12 raste).
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u bën thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve, që të sigurohen që fëmijët e tyre të jenë të vaksinuar kundër fruthit.
Vaksina MMR (Fruth, Parotit, Rubellë) është mënyra më e sigurt dhe efektive për të parandaluar këtë sëmundje. Vaksinimi gjithashtu është i rëndësishëm për të ruajtur imunitetin kolektiv dhe për të parandaluar përhapjen e fruthit në komunitet”, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike fton çdo qytetar që të kontribuojë, në përpjekjet për të parandaluar shpërthimin e mëtejshëm të fruthit dhe për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit.
Tutje në njoftim theksohet se të gjithë fëmijët duhet të marrin vaksinën MMR sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, në moshën 1-vjeçare (dozën e parë) dhe rreth moshës 6-vjeçare (dozën e dytë)./rtvmalisheva/