
Ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës Gramos Agusholli sot paradite është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.
Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.
MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.