
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, së bashku me Drejtorin e Departamentit për Bashkëpunim Dypalësh, Renè Lauer në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Luksemburgut.
Në takim u diskutua mbi rëndësinë e harmonizimit të mëtejshëm të prioriteteve dhe projekteve të përbashkëta, me qëllim të thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh.
“Një ndër pikat e diskutimit ishte edhe marrëveshja e re dypalëshe, në kuadër të së cilës Qeveria e Luksemburgut ka rritur shumën e financimit për Kosovën në 50 milionë euro, nga 35 milionë sa ka qenë ajo e 2023-2026. Kjo marrëveshje, për vitet 2026-2030, pritet të nënshkruhet në takimin e dhjetë bilateral që do të mbahet në Luksemburg gjatë muajit korrik të këtij viti” thuhet në njoftimin e ZKM
Edhe kjo marrëveshje si ajo paraprake synon të kontribuojë në forcimin e admistratës publike, zhvillimin e kapitalit njerëzor, dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme. Gjatë muajve në vijim institucionet do të punojnë në identifikimin e projekteve dhe detajizimin e tyre.