
Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar të martën se rruga evropiane e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jo “përmes veprimeve të njëanshme”.
Gjatë një debati të zhvilluar në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos ka thënë, gjithashtu, se Komisioni është i gatshëm të përgatisë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli.
Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Sa ka folur për Kosovën, Kos ka bërë thirrje edhe për formimin e shpejtë të institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ajo shtoi se po jetojmë në një kohë të transformimeve të thella të rendit ndërkombëtar dhe se vetëm në gjashtë muajt e parë të mandatit të saj, peizazhi global ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Prandaj, sipas saj, në interes të sigurisë dhe të ardhmes së kontinentit, është e nevojshme “të përfundojë bashkimi i Evropës”.
Në këtë frymë, sipas saj, Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm të projektojë stabilitet dhe paqe në të gjithë kontinentin, si dhe në fqinjësinë strategjike evropiane në Azinë Qendrore dhe në Mesdhe.
Komisionarja evropiane për Zgjerim shprehu shpresën se gjatë katër viteve të ardhshme, të paktën edhe një vend do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian./rel