
Pas një periudhe të gjatë larg skenës ekzekutive lokale, ish-kryetari i komunës dhe një nga figurat më të njohura të UÇK-së, Sokol Bashota, pritet të rikthehet fuqishëm në politikën komunale.
Burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë konfirmuar se Bashota është emri i përzgjedhur për ta përfaqësuar PDK-në në garën për kryetar të Komunës së Klinës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ky rikthim shënon një kthesë të rëndësishme për strukturat lokale të PDK-së, të cilat duket se po synojnë të forcojnë pozicionin në rajonin e Dukagjinit përmes kandidimit të një figure me peshë si Bashota. Ai pritet të përballet me kryetarin aktual të komunës, Zenun Elezaj nga radhët e AAK-së, në një garë që pritet të jetë e ngushtë dhe me interes të lartë publik.
Zyrtarizimi i kandidaturës pritet të bëhet në ditët në vijim nga ana e degës së PDK-së në Klinë, ndërkohë që fushata elektorale ka nisur të marrë formë, me partitë që po testojnë terrenin përmes takimeve me qytetarë dhe aktiviteteve publike./KlinaInfo