NATO ka kërkuar sërish nga Serbia të ndjekë penalisht përgjegjësit për aktet e dhunës në Kosovë gjatë vitit 2023, përfshirë sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan dhe atë në Banjskë. Kështu deklaroi një zyrtar i aleancës, një ditë para samitit të NATO-s në Hagë.
“Dekadat e paqes nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga dialogu, jo dhuna,” tha zyrtari, duke theksuar rëndësinë strategjike të Ballkanit për NATO-n.
Aleanca konfirmoi mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi dhe përmendi bashkëpunimin me përfaqësuesin e ri të BE-së, Peter Sorensen. Pas ngjarjeve të vitit 2023, NATO ka rritur ndjeshëm praninë e trupave në Kosovë.
Në samitin e Hagës pritet të diskutohet rritja e investimeve në mbrojtje dhe mbështetja për Ukrainën, ndërsa Presidenti Trump do të kërkojë rritjen e shpenzimeve ushtarake në 5% të PBB-së.




