Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka bërë të ditur se aktualisht po siguron rreth 400 megavat energji elektrike në orë (MW/h) nga dy njësi që janë në funksion: njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” dhe njësia A5 e Termocentralit “Kosova A”.
Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi ditor i KEK-ut arrin në 8208 megavat orë (MWh), duke mbuluar afërsisht 83% të kërkesës së deklaruar nga KESCO për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), e cila këtë javë është rreth 9856 MWh.
Në të njëjtën kohë, në njësinë B2 të Termocentralit “Kosova B” po realizohet një projekt i madh rehabilitimi të turbinës, me vlerë mbi 56 milionë euro – ky investim konsiderohet ndër më të rëndësishmit në këtë termocentral që nga themelimi i tij, më shumë se katër dekada më parë.
KEK ka njoftuar gjithashtu se ekipet teknike janë duke punuar intensivisht për kthimin në funksion të një njësie tjetër prodhuese në Termocentralin “Kosova A”, në ditët në vazhdim. Ky veprim synon forcimin e sigurisë dhe vazhdimësisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorët dhe ekonominë e vendit.




