Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.
Njoftimin e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri I cili tha se
Partia Demokratike e Kosovës qëndron besnike ndaj përgjegjësisë për të mbrojtur interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve të vendit.
“Ky vendim, i marrë në mungesë të një procesi të drejtë, të bazuar ligjërisht dhe gjithëpërfshirës, tashmë ka filluar të prodhojë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për mbi 1,300 biznese vendore dhe mbi 140 mijë punëtorë të këtyre ndërmarrjeve. Efektet e këtij vendimi po rrezikojnë seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit përmes rritjes së çmimeve, nxitjes së inflacionit dhe kërcënimit për falimentimin e një numri të madh të bizneseve.
Krahas padisë kryesore, PDK ka kërkuar nga gjykata edhe caktimin e masës së sigurisë – pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij vendimi – në përputhje me nenin 100 të Ligjit Nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative, për të parandaluar dëmet që po shkaktohen çdo ditë.
Në këtë proces, PDK ka vepruar si palë paditëse me legjitimitet të plotë ligjor, në mbrojtje të interesit kolektiv të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës. Vendimmarrja e Zyrës së Rregullatorit për Energji ka cenuar jo vetëm të drejtat ligjore të konsumatorëve që tejkalojnë qarkullimin prej 10 milionë euro në vit apo që punësojnë mbi 50 persona, por ka goditur edhe drejtpërdrejt interesin ekonomik të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.” shkruan Tahiri.
Deputeti I PDK-së tutje deklaron se Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve, të sektorit privat dhe të rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.




