Nga data 26 qershor 2025, subjektet politike kanë të drejtë të nisin procesin e aplikimit për certifikim dhe të dorëzojnë listën e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur për RTKLive se afati për këtë procedurë do të zgjasë 49 ditë, përkatësisht deri më 13 gusht 2025.
“Prej 26 qershorit e deri më 13 gusht, subjektet politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të dorëzojnë kërkesën për certifikim në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike pranë KQZ-së. Aplikimi përfshin garën për Kryetar Komune dhe për anëtarë të Kuvendeve Komunale”, deklaroi Elezi.
Ai shtoi se aplikimi mund të bëhet edhe në mënyrë elektronike, ndërsa subjektet kanë lirinë të vendosin në cilat komuna dhe për cilat pozita duan të konkurrojnë.
“Subjektet politike janë të lira të vendosin vetë për komunat ku dëshirojnë të marrin pjesë në garë, si dhe për llojin e zgjedhjeve – pra, nëse do të garojnë vetëm për Kryetar Komune, vetëm për Kuvend Komunal, apo për të dyja njëkohësisht”, theksoi ai.




