Njohësi i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ngriti alarmin për gjendjen e rëndë të sektorit energjetik në vend, duke e cilësuar si një humbje të madhe strategjike për Kosovën dhe një pasqyrë të mjerimit të politikës ekonomike.
Në intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu tha se Kosova ka humbur moti betejën për energjinë elektrike si pasojë e mungesës së investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe varësisë nga tregjet e jashtme.
Sipas Gërxhaliut, Kosova është ndër vendet më të pasura në Evropë për rezervat e thëngjillit, por çuditërisht importon energji, derisa kapacitetet ekzistuese janë të vjetruara dhe jofunksionale për kërkesat moderne.
Ai kritikon politikat e gabuara dhe mungesën e vizionit për orientimin drejt prodhimit vendor si faktorë që po dëmtojnë ekonominë e vendit./ekonomiaonline




