Kosova vazhdon të korrë suksese në skenën ndërkombëtare të karatesë për të rinj. Në turneun prestigjioz të Ligës së të Rinjve të zhvilluar në Poreç të Kroacisë, karateistja Lanika Rexhepi u shpërblye me medaljen e bronztë në kategorinë kadete mbi 61 kg, pasi arriti pesë fitore radhazi me një paraqitje mbresëlënëse, raporton Gazeta Sinjali.
Ky turne, i cili organizohet nga Federata Botërore e Karatesë (WKF), grumbulloi qindra garues nga vende të ndryshme të botës, duke sjellë një nivel të lartë konkurrence. Lanika Rexhepi tregoi aftësi të jashtëzakonshme dhe luftarakësi, duke e merituar vendin në podium dhe duke dëshmuar talentin e saj si një emër premtues për të ardhmen e sportit në Kosovë.
Edhe garueset e tjera nga Kosova patën paraqitje të denja në këtë ngjarje. Danina Rexhepi, e cila garoi në kategorinë U-14 mbi 52 kilogramë, shënoi katër fitore dhe përfundoi e pesta, ndërsa Diellza Mahalla në kategorinë U-21 zuri vendin e shtatë me dy fitore në një konkurrencë të ashpër.




