Tre zyrtarë policorë janë arrestuar sot në Klinë, pasi dyshohet se kanë keqtrajtuar një qytetar gjatë arrestimit.
Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se arrestimi u krye në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas analizës së provave që tregojnë se zyrtarët e kanë tejkaluar autorizimin dhe e kanë sulmuar fizikisht qytetarin edhe pse ai ishte i prangosur.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe po hetohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”. Incidenti dyshohet se ndodhi më 28 qershor në rrugën “Ismail Qemajli” në Klinë, në oborrin e një qytetari.
Një ditë më parë, IPK kishte rekomanduar suspendimin e tyre, duke theksuar se deklaratat dhe raportet zyrtare të policëve bien ndesh me pamjet filmike dhe provat faktike. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.




