Paraatleti Grevist Bytyçi vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare, por mbështetja financiare për të mungon. Ai është vetëm 0.33 sekonda larg përmbushjes së normës Olimpike dhe asaj Botërore në disiplinën 400 metra për kategorinë T46.
Në garën e zhvilluar më 28 qershor 2025 në Shkup, Bytyçi vendosi rekord të ri personal me kohën 52.83 sekonda, ndërsa norma për kualifikim është 52.50.
Trajneri i tij, Adrian Mazreku, deklaroi për KosovaPress:
“Arritja e kësaj norme është tregues i nivelit të lartë të një sportisti që garon si i barabartë me më të mirët në botë. Ndryshe nga norma Olimpike që vlen vetëm në vitin kur mbahet Olimpiada, ajo Botërore është valide çdo vit për shkak të zhvillimit të përvitshëm të Kampionatit Botëror. Sivjet, ky kampionat mbahet në New Delhi të Indisë në fund të shtatorit.”
Megjithatë, përkundër këtyre sukseseve, Bytyçi nuk ka përfituar asnjë ndihmë financiare nga institucionet shtetërore.
“Për të përfituar benefite, do të ishte me rëndësi që shteti, përkatësisht Ministria, ta përfshijë Grevistin në programin e supersportistëve dhe të hartojë një marrëveshje bashkëpunimi si ajo e vitit të kaluar. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë përkrahje zyrtare, çka ka ndikuar negativisht pasi kemi humbur dy gara të rëndësishme GRAND PRIX – një në Nottwil të Zvicrës në maj dhe tjetrën në Paris në qershor. Tani na ka mbetur vetëm Kampionati Botëror në Indi, por për të marrë pjesë, nevojitet mbështetja e MKRS,” përfundoi Mazreku.




