Përpjekjet për ta konstituar Kuvendin e Kosovës kanë dështuar sërish, duke shënuar kështu dështimin e 40-të me radhë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për hapjen e rrugës drejt formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
As kësaj here nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për formimin e Komisionit Zgjedhor që do të merrej me zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 100 deputetë të pranishëm, vetëm 51 votuan pro, ndërsa pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim – nuk pati as abstenime, e as vota kundër.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk propozuan emra për anëtarë të komisionit, duke e pamundësuar kështu ecjen përpara të procesit. Për pasojë, seanca u ndërpre dhe u shty për të enjten në orën 11:00.
Ky dështim i radhës ka rritur më tej pakënaqësinë publike dhe politike, pasi vendi tashmë ka hyrë në muajin e pestë pa institucione funksionale.




