Gjykata Themelore në Prishtinë më 30 qershor ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar gazetarit Valon Syla masën e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar- saktësisht të dashurës së tij.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sylës i ndalohet t’i afrohet në afërsi më të vogël sesa 5 metra të dëmtuarës NN.
Gjykata në vendim thekson se masa do të zgjasë për një muaj, duke filluar nga 28 qershori deri më 28 korrik 2025.“Në rast të mos respektimit të kësaj mase, të pandehurit do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit sipas nenit 175 par.5 të KPPRK-së”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, në seancë dëgjimore, mbrojtësi i Sylës- avokati Kushtrim Palushi ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Sipas Gjykatës, rasti kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale. Thuhet se Syla kishte përdorur edhe gjuhë ofenduese ndaj të dëmtuarës, kurse me veprimet e tij thuhet se shkaktoi dhunë psikologjike dhe lëndime trupore tek e dëmtuara.




