Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Treboviq të Pejës, ku për pasojë ka humbur jetën një person i mitur, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, bëhet fjalë për një vetaksident që ka ndodhur në rrugën Pejë–Trestenik. Automjeti, i cili po qarkullonte në drejtim të Trestenikut, ka dalë nga rruga në momentin kur ka hyrë në fshatin Treboviq, duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lëvizjes. Si pasojë, automjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një shtyllë betoni.
Policia ka njoftuar se njëri nga të miturit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ku vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor. Dy të miturit e tjerë të lënduar fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas, për shkak të natyrës së lëndimeve, janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet mbi rastin janë duke vazhduar.




