Dhjetëra fermerë kosovarë – prodhues të grurit – u nisën të mërkurën drejt Prishtinës, për të protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Arsyeja? Çmimi i ulët – vetëm 17-18 centë për kilogram grurë – që, sipas tyre, u është caktuar nga mullisët vendorë, njëherësh blerësit kryesorë të prodhimeve të tyre.
“Po protestojmë për çmimin dhe për pisllëqet që janë duke i bërë, kryesisht mullisët”, tha Genc Mazreku, fermer nga Malisheva, për Radion Evropa e Lirë.
Shumë prej kolegëve të tij, që u nisën drejt Prishtinës me traktorë, u ndaluan nga policia dhe nuk u lejuan të hyjnë në qytet, pasi protesta nuk ishte paralajmëruar zyrtarisht tek autoritetet, siç e kërkon ligji.
Mazreku tha se ka të mbjellë rreth 60 hektarë me grurë dhe se sivjet pret një rendiment prej afro 4 mijë kilogramësh për hektar.
Por, çmimi që po ofrohet nga mullisët, sipas tij, është tejet i ulët.
Ai e lidh këtë situatë me importin e “grurit të vjetër” nga Serbia, që, sipas tij, ndikon negativisht në tregun vendas dhe vlerën e prodhimit të fermerëve kosovarë.




