Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rifilluar përpjekjet për të zgjidhur krizën institucionale që ka penguar formimin e Kuvendit. Ajo ka vendosur që kësaj radhe të takojë liderët politikë veç e veç, për të dëgjuar qëndrimet e tyre dhe për të kërkuar konsensus.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar pjesëmarrjen, duke thënë se partia e tij mbetet e përkushtuar për zgjidhje, por ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokadën. Më pas, Osmani do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kryeministri në detyrë dhe kryetar i LVV-së, Albin Kurti, gjithashtu do të marrë pjesë në takim. Ai u shpreh se mbetet i angazhuar në përpjekjet për tejkalimin e krizës.
Takimet me përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë janë paraparë për ditën e enjtë. Deputetja Duda Balja ka bërë të ditur se është ftuar dhe do të takohet me presidenten në orën 11:30.
Në përpjekjen e mëparshme më 15 maj, Osmani kishte mbledhur të gjithë liderët në një takim të përbashkët, ku kishte vlerësuar qasjen e tyre konstruktive, pavarësisht dallimeve politike.




