Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe njëkohësisht deputet, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është e domosdoshme krijimi i një shumice me 61 vota ose hapja e rrugës për zgjidhje, për të shmangur humbjen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Ai ka paralajmëruar për pasoja serioze në rast se kjo nuk ndodh.
“Nëse Kurti arrin të sigurojë 61 vota, le të zgjedhë kryetarin e Kuvendit. Nëse nuk i ka, atëherë na bllokon për 30 ditë. Tashmë duket e qartë që ai ka zgjedhur të na mbajë peng dhe t’i harxhojë këto ditë pa krijuar shumicën”, tha Haradinaj.
Përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka dështuar për të 41-ën herë me radhë. Në votimin për përbërjen e Komisionit për votim të fshehtë, nga 99 deputetë të pranishëm, 54 votuan për, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i ri është i obliguar të konstituohet brenda 30 ditëve nga mbledhja e tij e parë. Edhe pse ky aktgjykim është publikuar më 26 qershor, partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për të dalë nga ky ngërç institucional.




