Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë nisi një raund të ri bisedimesh me subjektet politike për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada në Kuvend, pritet të vazhdojë edhe sot me takimet konsultative.
Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesë për një takim me Presidenten Osmani, i cili është caktuar për orën 09:00 të mëngjesit. Po ashtu, edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka konfirmuar se është ftuar për një takim që do të mbahet ditën e enjte.
Të mërkurën, presidentja Osmani priti në zyrën e saj liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Qëllimi i këtyre takimeve ishte që të gjendet një zgjidhje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Pas takimeve, Presidenca njoftoi se Osmani u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë që të gjejnë një konsensus për konstituimin e Kuvendit sa më parë që të jetë e mundur, brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.




