Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar serinë e takimeve konsultative me liderët politikë, duke pritur sot në takim kryetarin e partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq.
Këto takime po mbahen në funksion të përpjekjeve për zgjidhjen e ngërçit politik që ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit të ri dhe për të krijuar terren për dialog ndërmjet partive parlamentare.
Presidentja Osmani i ka intensifikuar konsultimet pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka sjellë më shumë qartësi rreth rrjedhës së mëtejshme institucionale.
Takimet po zhvillohen individualisht me secilin lider politik, me synimin për të arritur një marrëveshje të përbashkët dhe funksionale që do të lehtësojë zhbllokimin institucional. Në kuadër të agjendës së saj, Presidentja pritet që gjatë ditës të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve.




