Deputetët do të mblidhen sot në përpjekjen e 41-të për ta konstituuar Kuvendin, proces ky që prej 15 prillit është ndërprerë çdo dy ditë.
As vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shpallur një javë më parë, që e obligon përfundimin e seancës brenda 30 ditëve, pra deri më 26 korrik, nuk ka ndryshuar situatën.
Vetëvendosje insiston se votimi mund të jetë i fshehtë, ndërsa PDK, LDK dhe AAK thonë se Kushtetuesja ka kërkuar votim të hapur.
Presidentja Osmani ka takuar liderët e partive kryesore dhe sot vazhdon konsultimet me përfaqësuesit e partive më të vogla. Ajo ka kërkuar që brenda afatit kushtetues të gjendet një zgjidhje, në frymën e bashkëpunimit dhe në interes të qytetarëve.




