Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të tre zyrtarëve policorë, një rreshteri dhe dy pjesëtarëve të tjerë të Stacionit Policor në Suharekë, lidhur me një rast të vdekjes së një personi të ndaluar në këtë stacion.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së premtes në Qendrën e Ndalimit, ku një 46-vjeçar ka humbur jetën në rrethana që janë cilësuar si të dyshimta.
Ai ishte ndaluar për një rast dhune në familje dhe dyshohet se është vetë-ngulfatur brenda dhomës së ndalimit.
Sipas IPK-së, dyshohet për neglizhencë të mundshme nga ana e zyrtarëve policorë në përmbushjen e detyrave të tyre, sidomos në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar.
Suspendimi është marrë si masë mbrojtëse për të ruajtur integritetin e hetimit dhe për të shmangur ndikimin në procesin hetimor. Hetimet janë në zhvillim e sipër në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ndërsa rasti po trajtohet si “hetim i vdekjes”.




