Pas PDK-së, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Komisionit për Votim të Fshehtë në Kuvend. Këtë e bëri të ditur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se është përgatitur një draft nga grupi parlamentar i partisë.
Sipas tij, kërkesa ka për qëllim të sqarojë nëse kryesuesi i seancës ka të drejtë të ftojë deputetët për të votuar një komision ad-hoc në mënyrën siç është bërë deri më tani.
Ndërkohë, dje PDK ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve në seancën konstituive të Kuvendit më 29 qershor dhe vazhdimet më 1 dhe 3 korrik.
Kjo përfshin kontestimin e propozimeve për anëtarët e komisionit, votimin e tij dhe ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.




