Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se nëse Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh të përcaktuar nga Kushtetuta, atëherë deputetët mund të përballen me pasoja juridike.
Osmani njoftoi se, në rast të moszbatimit të këtij detyrimi kushtetues, ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me hapat që duhet ndërmarrë pas përfundimit të këtij afati.
Ajo theksoi se ky afat është obligativ dhe jo i negociueshëm, duke paralajmëruar se shkelja e tij nuk mund të kalojë pa përgjegjësi ligjore.
“Edhe pse kemi zhvilluar disa takime konstruktive, partitë kryesore mbeten ende me qëndrime shumë të kundërta. Kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për afrim brenda afatit. Situata aktuale është e bllokuar për shkak të mënyrës së votimit, gjë që nuk është e arsyeshme. Në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar edhe dy-tri kërkesa të reja për këtë çështje. Nuk kam informacion nëse në këto lëndë është kërkuar pezullim i përkohshëm i afatit. Nëse nuk ka një vendim të tillë, atëherë kanë mbetur më pak se 25 ditë,” u shpreh Presidentja.
Ajo nënvizoi se bazuar në praktikat kushtetuese të vendeve me sisteme të ngjashme, një afat i përcaktuar si detyrues nuk mund të tejkalohet pa pasoja.
“Kur Kushtetuta e përcakton një afat si detyrim, mosrespektimi i tij sjell pasoja. Gjykata nuk do të thotë thjesht ‘vazhdoni si zakonisht pas 30 ditësh’. Nëse nuk ndodh konstituimi shumë shpejt, do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për sqarim të qartë: çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk formohet brenda afatit të paraparë?”, theksoi Osmani.




