Në pikën kufitare të Merdares, më 3 korrik rreth orës 21:30, Policia Kufitare ka zbuluar dhe sekuestruar 119,180 euro që nuk ishin deklaruar nga dy shtetas serbë.
Gjatë një kontrolli të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët ndaluan një automjet me targa serbe, i cili drejtohej nga një burrë serb dhe kishte një pasagjer mashkull, po ashtu nga Serbia.
Fillimisht, pasagjeri raportoi se kishte vetëm 18,000 euro me vete. Megjithatë, pas kontrollit të hollësishëm, u zbuluan para të tjera të fshehura në disa pjesë të automjetit: në trupin e shoferit, në një çantë në ulësen e pasme, poshtë ulëses së pasagjerit dhe në pjesën e sipërme të makinës.
Të gjitha mjetet financiare të gjetura janë sekuestruar dhe janë dorëzuar tek autoritetet doganore për procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia thekson se ky rast është pjesë e aksioneve të intensifikuara për të parandaluar kontrabandën dhe shmangien e obligimeve fiskale.




