Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) t’i paguajë Fatmir Limajt mbi 57 mijë euro për qëndrimin pa bazë ligjore në paraburgim dhe arrest shtëpiak gjatë një procesi penal për krime lufte, ku më pas u shpall i pafajshëm.
Sipas vendimit, Limajt i takojnë 48,800 euro për dëmin jomaterial, 6,216 euro për shpenzime të avokatëve, 150 euro për pakot ushqimore gjatë paraburgimit dhe 2,048 euro për shpenzime gjyqësore.
Padia ishte paraqitur në korrik 2017, ku Limaj kërkonte kompensim për gjithsej 469 ditë të privimit nga liria (104 ditë paraburgim dhe 384 ditë arrest shtëpiak), si dhe për dëmtim të reputacionit, vuajtje shpirtërore dhe pasoja politike.
KGJK e kishte ofruar një shumë më të ulët për kompensim, por Gjykata vlerësoi se Limaj kishte pësuar dëm të konsiderueshëm dhe e mbështeti kërkesën pjesërisht.
Gjykata refuzoi pjesën tjetër të kërkesës, përfshirë mbi 713 mijë euro të kërkuara për dëm jomaterial dhe material shtesë, duke theksuar mungesën e argumenteve dhe mosrespektimin e rregulloreve për tarifat e avokatëve në Kosovë.
Vendimi përfshin edhe pagesën e interesit ligjor prej 8% dhe mbetet i apelueshëm brenda 15 ditëve. Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka konfirmuar se kanë paraqitur ankesë për shumat e aprovuara.




