Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në hapje të mbledhjes së Qeverisë, ka kërkuar një hetim të thelluar dhe të shpejtë lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, rast në të cilin janë përfshirë pesë zyrtarë policorë.
Kurti u shpreh se nuk do të ketë asnjë tolerim për tejkalim të kompetencave apo abuzim me detyrën zyrtare, duke theksuar se askush që shkel ligjin nuk do të gjejë strehë në institucionet e shtetit.
“Para së gjithash, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu pas kësaj humbjeje të rëndë. Lajmi për vdekjen e Agonit na ka tronditur të gjithëve. Janë publikuar shumë detaje, përfshirë edhe incizime të bëra nga dëshmitarë, por për të kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur, kërkohet bashkëpunim i ngushtë mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se pesë zyrtarët policorë janë tashmë të suspenduar, ndërsa theksoi se procesi hetimor duhet të jetë i gjithanshëm dhe transparent për të vendosur drejtësi.
“Nuk do të ketë strehë në institucione për asnjë zyrtar që ka tejkaluar kompetencat apo ka abuzuar me pozitën. Tendencat për të nisur një fushatë kundër Policisë janë të dëmshme dhe nuk e ndihmojnë drejtësinë. Thirrjet për drejtësi janë legjitime dhe duhet të dëgjohen”, shtoi ai.




