Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, është duke shqyrtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim lidhur me aktgjykimin për seancën konstituive të Kuvendit.
Lajmin e ka konfirmuar këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina.
Sipas Kupinës, Presidentja po e shqyrton këtë hap me qëllim që të qartësohen pasojat juridike nëse Kuvendi i ri nuk arrin të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Presidentja është duke shqyrtuar opsionet ligjore për të kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese mbi aktgjykimin në rastin nr. KO 124/25, për të sqaruar efektet juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të paraparë nga Gjykata (pra, brenda 30 ditëve)”, deklaroi Kupina.




