Valët e të nxehtit që kanë përfshirë Kosovën gjatë ditëve të fundit kanë sjellë një rritje shqetësuese të rasteve me zjarre në mbarë vendin. Sipas të dhënave zyrtare, ekipet e emergjencës janë përballur me 295 ndërhyrje vetëm gjatë pesë ditëve të fundit.
Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se më 7 korrik u regjistrua dita më e rënduar, me gjithsej 66 zjarre të raportuara, 57 prej tyre vetëm gjatë orëve të pasdites.
“Deri tani kemi arritur të menaxhojmë situatën me sukses, por rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve ekstreme të motit”, theksoi Metaj, duke shtuar se ka indikacione për zjarrvënie të qëllimshme në disa raste.
Ai bëri të ditur se shumica e vatrave janë shfaqur në toka bujqësore dhe më pas janë përhapur në zona pyjore apo malore.
Edhe pse Metaj e vlerësoi si të mirë numrin aktual të zjarrfikësve, ai pranoi se kapacitetet duhet të shtohen për të përballuar raste të tilla në të ardhmen.
Aktualisht, tri vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive: një në rajonin e Pejës dhe dy të tjera në komunën e Skënderajt.
AME ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke kërkuar që të shmangen ndezjet e zjarreve në natyrë dhe të raportohen menjëherë çdo aktivitet i dyshimtë për të parandaluar përhapjen dhe dëmet e mundshme.




