Agon Zejnullahu, 27-vjeçari që u arrestua nga Policia në mesnatën e 6-7 korrikut në Lipjan, vdiq në rrethana të rënda. Pamjet tregojnë disa policë që e shtrijnë në asfalt dhe i vendosin gjurin në qafë gjatë arrestimit.
Policia tha se Zejnullahu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete e kalimtarë, por veprimet e zyrtarëve kanë ngjallur reagime të ashpra.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se sipas të dhënave që ka marrë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, autopsia ka përcaktuar se vdekja e Zejnullahut ka ardhur si pasojë e ngufatjes – drejtpërdrejt e shkaktuar nga veprimet e policëve. “Policia ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vdekjen e të riut”, ka thënë ai.
Një rreshter dhe katër zyrtarë janë arrestuar dhe po hetohen për “vrasje nga pakujdesia”. Ata pritet të dalin sot para gjykatës për masën e sigurisë.




