Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, ka bërë thirrje për kthim në normalitet politik përpara seancës së 44-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Kjo kokëfortësi politike po na prek të gjithëve. Situata është shumë e qartë, ose i rikthehemi votimit të hapur fillestar, ose formojmë një qeveri uniteti për një periudhë 7 deri në 8 muaj, derisa të shkohet në zgjedhje të reja,” deklaroi Xhaferi.
Ai theksoi se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka për qëllim tejkalimin e bllokadës institucionale dhe rikthimin e stabilitetit.
“LDK-ja ka propozuar një qeveri të përbashkët që do të shërbejë si zgjidhje e përkohshme për të qetësuar situatën politike. Kjo do të na mundësojë të dalim nga ky ngërç dhe të kthehemi në një klimë normale politike,” përfundoi ai.




