Zyra e rregullatorit për energji ka bërë të ditur se janë refuzuar kërkesat e masës së sigurisë ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nga Gjykata Themelore në prishtinë.
Vendimi, i marrë më 9 korrik, vjen pas shqyrtimit të dy kërkesave të ndara të paraqitura nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si dhe nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).
Këto kërkesa kishin për qëllim pezullimin e zbatimit të liberalizimit që ka hyrë në fuqi nga 1 qershori, duke detyruar mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në tregun e hapur për furnizim me energji elektrike.
“Gjykata ka vlerësuar se paditësit nuk kanë dëshmuar plotësimin e të dy kritereve që i përjashtojnë nga obligimi për të dalë në treg të lirë – më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro – duke konstatuar se ZRRE ka vepruar në përputhje me ligjin në fuqi”, thuhet në njoftim.
ZRRE ka kujtuar se, sipas nenit 3 pika 1.72 dhe nenit 37 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, “ndërmarrjet me më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro nuk kanë të drejtë për furnizim me shërbim universal dhe duhet të furnizohen përmes tregut të lirë”.
Në përmbyllje, ZRRE u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret ligjore të tregut të hapur që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të siguruar furnizues të rinj, duke përfituar nga konkurrenca.
“ZRRE ka theksuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, me qëllim krijimin e një tregu të hapur, funksional dhe të harmonizuar me standardet evropiane”, përfundon njoftimi.




