Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka bërë të ditur se nga data 11 korrik do të hyjë në grevë, për shkak të mungesës së një zgjidhjeje për çështjen e angazhimit të punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në një njoftim për media, federata ka deklaruar se, pavarësisht takimeve të shumta me drejtorin e QKUK-së, Osman Hajdari, përfshirë edhe një takim të zhvilluar sot, nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Sipas tyre, nuk është caktuar asnjë afat për nënshkrimin e kontratës që do të mundësonte rikthimin në punë të punëtorëve të prekur nga situata.
“Nga ky takim, ashtu si në rastet e mëparshme, nuk morëm asnjë siguri apo datë konkrete për nënshkrimin e kontratës që do të garantonte vazhdimin e punës për këta punëtorë,” thuhet në komunikatën e sindikatës.
Për këtë arsye, greva do të nisë nesër (11 korrik), duke filluar në orën 10:00.
Federata ka shprehur shpresën se kjo grevë do të shërbejë si sinjal i fuqishëm për institucionet përkatëse, me qëllim që të përshpejtohet procesi dhe punëtorët të rikthehen në pozitat e tyre sa më parë.




