Fluksi në pikat kufitare të Kosovës këtë mëngjes është paraqitur pa probleme të mëdha, me lëvizje të rregullt dhe pa krijimin e kolonave.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në orën 07:25, automjetet dhe kamionët po kalojnë me vonesa minimale, pritja mesatarisht është vetëm 3 deri në 5 minuta në të dy drejtimet.
Nuk janë raportuar radhë në asnjërën prej pikave të kalimit kufitar, përfshirë ato me qarkullim më të madh si Merdare, Dheu i Bardhë, Jarinjë dhe Vërmicë, të cilat zakonisht përballen me kolona gjatë muajve të verës.
Megjithatë, në pikën kufitare në Han të Elezit, është bërë e ditur se kalimi për kamionë është ndërprerë përkohësisht, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Autoritetet këshillojnë qytetarët që të përcjellin njoftimet zyrtare për t’u informuar për çdo ndryshim eventual në gjendjen e kalimeve kufitare.




