Në Kuvendin e Kosovës, përpjekja e 45-të për konstituim ka dështuar, ndërsa pas këtij dështimi ka vazhduar tensioni mes deputetëve të partive të ndryshme politike.
Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka vazhduar të insistojë për votimin e fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ndërkohë që partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, nuk kanë paraqitur asnjë propozim për anëtarët e Komisionit për votimin e fshehtë.
Kur u kërkuan propozime nga deputetët e partive të opozitës, ata nuk kanë hezituar të akuzojnë Kryesuesin, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetutës.
“Sot është hera e 45-të që Kryesuesi është duke e shkelur Kushtetutën. Kjo është e papranueshme,” ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, para se fjala e tij të ndërpritej nga Kryesuesi Dehari.
Nga ana tjetër, Ekrem Hyseni i LDK-së ka propozuar që të kthehen në rendin e ditës, por edhe fjala e tij është ndërprerë nga Dehari. Ndërkohë, Time Kadriaj nga AAK e cilësoi këtë situatë si një bllokadë të qëllimshme, ndërsa fjala e saj u ndal gjithashtu.




