Në mes të raportimeve për dyshime mbi keqpërdorimin e fondeve publike në një tender të negociuar rreth 3 milionë euro për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër, ka reaguar zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Përmes një postimi në Facebook, Durmishi ka publikuar pamje të reja nga vendi i punimeve, ku thekson se projekti po ecën përpara, pavarësisht akuzave dhe hetimeve që janë iniciuar nga Prokuroria Speciale.
“Fjalët nuk ndalen asnjëherë, ama urat mbi Ibër po bëhen”, shkruan ai në mbështetje të punimeve që kanë nisur së fundmi.
Tenderi për ndërtimin e urave u dha përmes një procedure të negociuar vetëm me një operator, kompaninë “Eurkos Holding”, çka ka ngjallur debat publik dhe hetime për ligjshmërinë e kontratës dhe mundësinë e keqpërdorimit të fondeve publike.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se po heton procedurat e ndjekura dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore nga institucionet përkatëse, ndërsa zyrtarë të Vetëvendosjes kanë akuzuar organet e drejtësisë për tentativa për bllokim të projektit.
Punimet për ndërtimin e urave parashihen të përfundojnë brenda 90 ditësh.




