Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e zëvendëskryeministret, Donika Gërvalla dhe Emilja Rexhepi, kanë marrë pjesë në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Kurti ka shkruar se ajo çfarë ka ndodhur në këtë qytet të të Bosnjë-Hercegovinës, ka qenë paralajmërim i fushatës gjenocidale që do të ndodhte edhe në Kosovë.
“8,372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht nga forcat ushtarake të komanduara nga krimineli i luftës Ratko Mlladiq. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë ishte Beogradi zyrtar ai që dërgoi rreth 4 mijë oficerë ushtrie, armatime të shumta e municione pa fund, për shfarosjen e popullsisë vendëse boshnjake.
Në ekzekutimet në masakrën e Srebrenicës mori pjesë edhe njësiti famëkeq “Shkorpionët” të cilët pas Bosnjës do të vinin në Kosovë për të kryer krimet e njëjta, në mesin e të cilave edhe pushkatimin mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28 mars 1999.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2021 pat miratuar një rezolutë që dënonte ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë dhe u bënte thirrje të gjitha shteteve për përpjekje shtesë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin e kryerjen e gjenocidit. Ndërkaq, para një viti si qeveri morëm vendim për ta shpallur 11 korrikun Ditë Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.”, shkruan Kurti.




