Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Washington D.C., u prit nga Zëvendës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau. Ajo ka shprehur mirënjohjen për mikpritjen dhe bashkëbisedimin e sinqertë që zhvilluan.
Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e Kosovës për të thelluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për të avancuar partneritetin strategjik, në përputhje me drejtimet që ka përcaktuar Presidenti Donald Trump.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
“Faleminderit për mikpritjen e përzemërt dhe bashkëbisedimin e frytshëm në Washington D.C., Zv. Sekretar i Shtetit, Christopher Landau!
Kosova është dhe do të mbetet një aleate e fuqishme e Shteteve të Bashkuara, teksa punojmë së bashku për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi, duke ndjekur vizionin e qartë të Presidentit Trump.
Më shumë siguri për vendin.
Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.
Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe sektorin privat.”




