Punëtorët e sigurimit fizik në QKUK, të mbështetur nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat, janë në grevë për shkak të moszgjidhjes së çështjes së punësimit të tyre.
Greva zhvillohet çdo ditë nga ora 10:00 deri në 15:00, deri në plotësimin e kërkesave.
Kryetari i Federatës, Jusuf Azemi, tha se problemi ka zgjatur shumë dhe sipas KRPP dhe OSHP, tenderi mund të përfundojë brenda tri ditësh, madje edhe më shpejt nëse ka vullnet nga menaxhmenti i QKUK-së. Ai akuzoi institucionet për shmangie përgjegjësie dhe përfitime të individëve brenda QKUK-së.
Azemi theksoi se qindra punëtorë janë pa paga dhe me probleme financiare, shumë prej tyre me kredi. Ai tha se drejtoria e QKUK-së nuk po merr përgjegjësi për zgjidhjen e situatës.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Sigurimit Fizik, Hakif Sylejmani, kërkoi vendim të qartë për fatin e punëtorëve dhe tha se greva do të vazhdojë derisa të ketë një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme.




