Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për rastin e njohur si ‘Veteranët’.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Përveç Nuredin Lushtakut dhe Smajl Elezajt që u liruan nga akuzat, të tjerët Gjykata vendosi t’i dënoj me nga 1 vit burg.
“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që ta aprovoj ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa ta anuloj aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.230/2018, i datës 16 prill 2021 dhe kjo çështje penale do t’i kthehet në rigjykim dhe rivendosje të njejtës gjykatë“, thuhej në komunikatë.
Të dyshuarit edhe herën e parë ishin liruar nga akuzat.
“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit A.Ç., N.L., S.H., Sh.D., Q.G., Sh.B., A.D., Rr.B., F.F., S.E., F.Sh. dhe Xh.J., janë liruar nga akuza për shkak të veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1. lidhur me nenin 31 të KPRK“, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.




