Në Gjykatën Speciale në Hagë, sot pritet të bëhet publik vendimi i trupit gjykues lidhur me mocionin e paraqitur nga ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Mbrojtja ka kërkuar që disa pjesë të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të rrëzohen.
Ky mocion ishte dorëzuar më 12 qershor, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur përgjigjen e saj më 7 korrik.
Seanca, e cila konsiderohet ndër më të rëndësishmet pas përmbylljes së fazës së paraqitjes së provave dhe dëshmive nga Prokuroria, është planifikuar të nisë në orën 09:00. Pas shpalljes së vendimit, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve ekspertë të angazhuar nga Zyra e Mbrojtësit të Viktimave.




