Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk. Në këtë takim është diskutuar për raportet e rregullta të OSBE-së lidhur me zhvillimet në vend, si dhe për bashkëpunimin në fusha me rëndësi të përbashkët.
Ndër temat kryesore ishte mbështetja që OSBE-ja ofron për forcimin e institucioneve demokratike, avancimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët, në harmoni me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin McGurk për bashkëbisedimin konstruktiv dhe e çmoi lart angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të OSBE-së për Kosovën.




