Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave – AME u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga zjarret, sidomos nga temperaturat e larta në vend.
AME mbajti një konferencë për media sot më 22.07.2025.
Sipas drejtorit Genc Metaj, mbi 320 raste të zjarreve janë raportuar vetëm gjatë kësaj jave.
“Momentalisht i kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht” – tha Metaj, shtoi se ky numër i madh dhe pasojat e mundshme që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante.
“Kjo çështje nuk do të mbetet nën mëshirën e fatit”- theksoi ai.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, bëri thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, sidomos gjatë daljeve në natyrë dhe ndezjes së zjarreve.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të kenë kujdes në daljet në natyrë dhe aktivitetet e tjera, sidomos gjatë ndezjes së zjarreve, sepse është e vështirë të kontrollohet zjarri në këto temperatura të larta”- tha Hoxha.
Si pasojë e zjarreve, ditë më parë vdiq një zjarrfikës nga Gjakova dhe një qytetar nga Klina, ndërsa dy zjarrfikës të tjerë u lënduan.




