Dy raste shqetësuese të dhunës në familje janë raportuar në Prishtinë brenda 24 orëve të fundit. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rastin e parë, një djalë ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj prindërve të tij.
Ngjarja ndodhi të martën në orën 08:00 të mëngjesit. I dyshuari është arrestuar menjëherë pas raportimit, dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike, fizike dhe kishte kanosur prindërit e tij,” thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Rasti i dytë ka ndodhur të martën mbrëma, rreth orës 20:30, kur një grua ka denoncuar se është sulmuar dhe kërcënuar nga bashkëshorti i saj.
Pas intervistimit të palëve, viktimës i është ofruar urdhër mbrojtës, ndërsa rasti është proceduar në procedurë të rregullt në konsultim me prokurorin.




