FESTONI ME DINJITET DHE MATURI, ARMËT JANË RREZIK PËR JUVE DHE PËR SHOQËRINË
Policia e Kosovës, si organ i zbatimit të ligjit, çdo herë kujdeset që të mbrojë jetën e qytetarëve, të ruajë rendin dhe sigurinë publike si dhe të parandalojë veprimtaritë e ndryshme kriminale.
Në kuadër të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore, duke pasur parasysh tani edhe fluksin e shtuar të qytetarëve dhe numrin e madh të ceremonive festive, ahengjeve në këtë pjesë të vitit, Policia e Kosovës, si masë preventive, ka realizuar fushata të ndryshme dhe po ashtu ka shpërndarë broshura vetëdijesuese, që të festohet në mënyrë të qetë, pa incidente e pa përdorim të mjeteve të rrezikshme dhe të armëve.
Posedimi dhe përdorimi i mjeteve të rrezikshme, armëve, është veprimtari e kundërligjshme,andaj Policia e Kosovës vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në operacione të ndryshme
të ndërmarra, ka konfiskuar 849 armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024, është shënuar një ngritje për 12%, si dhe janë konfiskuar 16,198 sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024 është shënuar një ngritje për 3.37%.

Po ashtu raste të përdorimit dhe posedimit të armëve janë evidentuar edhe në 24 orëshin e fundit, e që kanë përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Lipjanin, Podujevën, Klinën, Gjakovën, Mitrovicën e Jugut dhe Pejën, ku në tetë raste të ndara janë konfiskuar: 1 armë e gjatë AK-47, 7 armë të shkurtra, 1 pushkë ajrore, 9 karikatorë dhe rreth 300 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa katër persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës, apelon tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të shmangun përdorimin dhe posedimin e armëve të zjarrit në përgjithësi, e në veçanti në ceremoni festive, të festojnë me dinjitet dhe maturi, në të kundërtën do të përballen me ligjin.




