Kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me Ministrin në detyrë të punëve të brendshme Xhelal Sveçla dhe me drejtorin e Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, me rastin e ditës memoriale të Policëve të rënë në detyrë bënë homazhe te Lapidari I Policëve të rënë në detyrë.
“Jemi këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë, 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës. Dua të theksojë heroin Enver Zyberin dhe Afrim Bunjakun që ranë në detyrë. Policia e Kosovës është një forcë multietnike që u sulmua shpesh por gjithnjë doli fitimtare. Kemi dhimbje e pikëllim., kemi shumë mall, por kemi edhe krenari. Lavdi të gjithë policëve të Kosovës, të rënë në krye të detyrës”, ka theksuar Kurti.
Gjatë ditës pritet të mbahen homazhe tek varri i Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë familjes së tij, poashtu edhe homazhe tek varri i Heroit Enver Zyberi dhe vizitë në familjen e tij.
Ceremonitë përkujtimore përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.




