Ambasada gjermane në PrishtInë përmes një përgjigje për Klankosova.tv ka thënë se bllokimi me rastin e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës jo vetëm që po e vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës, por edhe po rrezikon progresin dhe besueshmërinë për të cilën Kosova ka punuar me vite.
Christian Bottcher, zëvendësshef i misionit në Kosovë, theksoi se udhëheqësit politikë duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për t’i dhënë fund kësaj krize.
Ai shtoi se në arritjen e një kompromisi mund të luajë rol edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
“Ne gjithashtu besojmë se Presidenti i Kosovës mund të luajë një rol kyç në thirrjen e bisedimeve ndërpartiake dhe në udhëzimin e të gjitha palëve drejt kompromisit. Lidershipi presidencial në deeskalimin dhe ndërtimin e konsensusit do të ndihmonte në rivendosjen e besimit dhe momentumit në procesin demokratik”.
Gjermania mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për zhvillimin demokratik të Kosovës.




