Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ministrin e Irlandës për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne.
Temat qendrore të bisedës ishin marrëdhëniet bilaterale dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, dhe fuqizimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes.
Duke rikujtuar takimin e parë në korrik të vitit 2022, kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën e sërishme ministrin Byrne, që tregon për marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, partneritetin dhe miqësinë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës.
Ai e falënderoi për kontributin e Irlandës për paqe dhe siguri në vend përmes pjesëmarrjes në misionin e NATO-s në Kosovë, dhe për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.




