Ministri i Gjermanisë, Gunther Krichbaum i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani pa vonesa, dhe të përmbahen nga çdo veprim apo deklaratë që mund të shkaktojë tensione.
“I inkurajoj të dyja vendet që të angazhohen sërish plotësisht në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, përfshirë për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe përmbajtjen në deklaratat publike, duke pasur parasysh mandatin e tyre përkatës. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dyja vendet në përparimin drejt një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, ka deklaruar Krichbaum, pas takimit me Emisarin e BE-së, Peter Sorensen.
Krichbaum gjithashtu ka theksuar se po e ndjek nga afër zhvillimet e fundit të arrestimeve, ish-policin e Kosovës Arbnor Spahiu që u arrestua nga autoritetet serbe dhe Igor Popoviç që u arrestua në Kosovë.
“Në këtë frymë, ne po e ndjekim nga afër arrestimin e Zëvendësdrejtorit serb Igor Popović në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Ne po e ndjekim gjithashtu nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe, dhe presim që Serbia të sigurojë zbatimin e duhur dhe të shpejtë të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces gjyqësor të drejtë – në përputhje me Marrëveshjen për Drejtësinë nga Dialogu, e cila përcakton se procedurat penale për vepra të kryera në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, thuhet më tej.




